Azili është një mbrojtje që u jepet nënshtetasve të huaj që janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose që mbërrijnë në kufi, të cilët plotësojnë përkufizimin e ligjit ndërkombëtar për një “refugjat”. Konventa e Kombeve të Bashkuara 1951 dhe  Protokolli 1967  e përkufizojnë një refugjat si një person i cili nuk është në gjendje ose nuk dëshiron të kthehet në vendin e tij ose të saj, dhe që nuk mund të sigurojë mbrojtje në atë vend, për shkak të persekutimit të kaluar, ose një frike të bazuar për një persekutim në të ardhmen “për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror, apo mendimit politik. ” Kongresi Amerikan e përfshiu këtë përkufizim në ligjin e imigracionit në SH.B.A. në Aktin e Refugjatëve të vitit 1980. Si nënshkrues i Protokollit të 1967-ës, dhe përmes ligjit të imigracionit amerikan, Shtetet e Bashkuara kanë detyrime ligjore për t’u siguruar mbrojtje atyre që kualifikohen si refugjatë. Ligji i Refugjatëve vendosi dy rrugë për të marrë statusin e refugjatit – nga jashtë Amerikës si refugjatë i zhvendosur, ose në Shtetet e Bashkuara si azilkërkues.

Ekzistojnë dy mënyra kryesore me të cilat një person mund të kërkojë azil në Shtetet e Bashkuara:   proçesi afirmues dhe  proçesi mbrojtës .

Azili Afirmues: Një individ i cili nuk është në proçedurë deportimi mund të kërkojë në mënyrë afirmuese për azil përmes Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të SH.B.A.-së. Nëse zyrtari i azilit nuk e jep kërkesën për azil dhe aplikanti nuk ka një status të ligjshëm të imigracionit, ai ose ajo vendosen në proçedurat e deportimit në gjykatën e imigracionit, dhe kërkesa për azil mund të rinovohet para një gjykatësi të imigracionit.  

Azili mbrojtës:  Një individ që është në proçedurë deportimi mund të kërkojë azil në mbrojtje duke parashtruar kërkesën direkt me Gjykatën e Imigracionit. Azilkërkuesit të cilët mbërrijnë në një aeroport, apo në kufi, në SH.B.A. ose hyjnë në Shtetet e Bashkuara pa inspektim, përgjithësisht, duhet të aplikojnë përmes proçesit të mbrojtës së azilit.

Frika e besueshme

Personat që janë vendosur në proçedurat e deportimit të shpejtë dhe të cilët i thonë një zyrtari të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit se kanë frikë nga persekutimi e tortura pasi të kthehen në vendin e tyre, ose që dëshirojnë të aplikojnë për azil duhet t’i referohen një oficeri të azilit për një intervistë të shqyrtimit të frikës së besueshme. Nëse oficeri i azilit përcakton se azilkërkuesi ka një frikë të besueshme nga persekutimi ose torturimi, individi më pas do t’i referohet gjykatës së imigracionit për të vazhduar proçesin e mbrojtjes së kërkesës për azil.

Frikë e arsyeshme

Individët që rikthehen në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme pas një urdhri paraprak deportimi dhe ata që janë të dënuar për krime të rënda, i nënshtrohen një proçesi të përshpejtuar të deportimit të quajtur rivendosja e heqjes apo e deportimit. Për t’i mbrojtur azilkërkuesit nga deportimi i menjëhershëm para se t’u dëgjohet kërkesa e tyre për azil, imigrantëve që shprehin frikën e kthimit në vendin e tyre, duhet t’iu jepet një intervistë qe quhet “frikë e arsyeshme” nga një oficer i azilit. Individët që kalojnë një intervistë për “frikë të arsyeshme” gjithashtu mund të kërkojnë seancë dëgjimore para një gjykatësi të imigracionit.

Ndryshimet në lidhje me proçesin e azilit në kufi 

Që nga Prilli i vitit 2018 ka pasur ndryshime të shumta në lidhje me Proçesin e Azilit në kufi.  Proçedura e njohur si Protokollet e Mbrojtjes së Imigrantëve, i detyron azilkërkuesit të dërgohen në Meksikë, ku u kërkohet të presin për datën e seancave të tyre gjyqësore të imigracionit të mbajtura në katër zona të ndryshme të SH.B.A.-së përtej kufirit.

Në Korrik të vitit 2019, Qeveria nxori një rregull të ri në lidhje me “Ndalimin e Vendit të 3-të”, që u ndalon të drejtën e azilit të gjithë personave që kaluan tranzit përmes një vendi të tretë para se të arrinin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që nuk aplikuan për azil në atë vend që shkelën.

Në Nëntor të vitit 2019, Qeveria filloi zbatimin e një “Marrëveshjeje Bashkëpunimi Azili” me Guatemalën. Sipas kësaj marrëveshje, që gjithashtu njihet si një marrëveshje e “Vendit të Tretë të Sigurt”, individët që kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara dërgohen në një vend të tretë dhe u kërkohet të kërkojnë azil atje.

Ndryshimet në proçesin e azilit për shkak të COVID-19

Që nga Marsi i vitit 2020, në përgjigje të pandemisë së COVID-19, të gjitha seancat gjyqësore në kufi u pezulluan. Departamenti i Sigurimit të Shtetit, dhe Departamenti i Drejtësisë kanë deklaruar se ata do të vazhdojnë të shtyjnë seancat gjyqësore ndërsa kushtet pandemike në Meksikë vazhdojnë të mbeten të rënda.

Rregulli Final mbi Azilin dhe Autorizimin e Punës për Aplikantët e Azilit

Në 26 Qershor 2020, në përpjekje për të penguar hyrjen e paligjshme në Shtetet e Bashkuara, Zyra e Imigracionit nxori një rregull përfundimtar dhe bëri ndryshime të shumta në rregulloret në lidhje me kërkesat për azil si dhe për të drejtën për autorizim pune bazuar në një kërkesë për azil. Rregulli doli në efekt në datën 25 Gusht 2020 dhe do të ketë një efekt negativ për aplikantët për azil. Klikoni këtu për më shumë mbi Rregullin Final të Regjistrit Federal të Qeverisë në SHBA .

Refugjatët

Sipas ligjit të SH.B.A. për imigracionin, një refugjat është dikush që:

  • Ndodhet jashtë Shteteve të Bashkuara;
  • Konsiderohet si një shqetësim i veçantë humanitar për Shtetet e Bashkuara;
  • Demonstron persekutimin ose përndjekjen nga frika për shkak të racës, fesë, kombësisë, mendimit politik ose anëtarësimit në një grup të veçantë shoqëror;
  • Nuk mund të rivendoset në një vend tjetër;
  • Dhe është i pranueshëm për Shtetet e Bashkuara;

Individi duhet të marrë një referim për në Programin e Pranimit të Refugjatëve në SH.B.A (USRAP) për t’u konsideruar si refugjat. Nëse pranohet, ai merr një ndihmë për plotësimin e një kërkese dhe më në fund intervistohet jashtë vendit nga një oficer i imigracionit, i cili përcakton mundësinë e rivendosjes së refugjatëve. Në kërkesë mund të përfshihen bashkëshorti, fëmija (i pamartuar dhe nën moshën 21 vjeç), dhe në disa rrethana të kufizuara, anëtarët e tjerë të familjes.

Pasi të jetë aprovuar si refugjat, individi duhet të bej një vizitë mjekësore dhe një orientim kulturor. Ai duhet të marrë ndihmë për planet e udhëtimit si dhe një kredi për udhëtim në Shtetet e Bashkuara. Brenda dy vjetësh, një refugjat mund të kërkojë të sjellë familjen e tij në Shtetet e Bashkuara, nëse pjesëtarët e familjes janë jashtë vendit. Një refugjat mund të punojë menjëherë pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara.

Në përgjithësi, pas një viti, një immigrant që ka marrë azilin, ose një refugjat mund të aplikoj për statusin e rezidencës së përhershme (p.sh., një kartë jeshile) në Shtetet e Bashkuara, dhe më vonë ata mund të aplikojnë për nënshtetësinë amerikane.

Akti i Dhunes ndaj Grave 

Si bashkëshort, fëmijë ose prind i dhunuar, një individ mund të paraqesë një kërkesë për vizë emigruese sipas Aktit të dhunës ndaj grave ose Aktit VAWA. Akti i lejon disa bashkëshortë, fëmijë dhe prindër të nënshtetasve amerikanë, ose bashkëshortë dhe fëmijë të rezidenteve të përhershëm të paraqesin një kerkese peticioni për veten e tyre, pa dijeninë e abuzuesit. Kjo i lejon viktimat të kërkojnë siguri dhe pavarësi nga dhunuesi i tyre, i cili nuk është i njoftuar për paraqitjen e kërkesës. Ata që kanë të drejtë të kërkeses, dhe që kanë një formular të miratuar (Formën I-360), mund të kenë të drejtë të aplikojnë për një Kartë Jeshile dhe më pas për nënshtetësinë amerikane.

Statusi T Jo imigrant (Viza T)

Statusi T jo imigrant  i siguron mbrojtje të imigracionit viktimave të trafikimit. Visa T i lejon viktimat të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara dhe të ndihmojnë autoritetet e zbatimit të ligjit në hetimin ose ndjekjen penale të rasteve të trafikimit njerëzor.

Statusi U Jo imigrant (Viza U)

Statusi U jo imigrant i siguron mbrojtje të imigracionit për viktimat e krimit që kanë pësuar abuzim të konsiderueshëm mendor ose fizik si rezultat i krimit. Viza U i lejon viktimat të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara dhe të ndihmojnë autoritetet e zbatimit të ligjit në hetimin ose ndjekjen e veprimtarisë kriminale.

Një aplikant me vizë U mund të ketë të drejtë të kërkojë për një rezidencë të përherëshme nëse plotëson disa kërkesa të caktuara, si më poshtë:

  • Prezencën fizike në Shtetet e Bashkuara për një periudhë të vazhdueshme të paktën tre vjet, ndërsa vazhdon të jetë në statusin jo-imigrant U; dhe
  • Aplikuesi nuk ka refuzuar në mënyrë të paarsyeshme t’iu ofrojë ndihmë autoriteteve të ligjit që nga marrja e vizës U;

Aplikantët për vizat U dhe T, dhe anëtarët e familjes së tyre, mund të aplikojnë për rezidencë permanente, dhe më vonë ata mund të aplikojnë për nënshtetësinë amerikane.

Miratim vize për përfitim humanitar ose publik për individët që janë jashtë Shteteve të Bashkuara

Individët që janë jashtë Shteteve të Bashkuara mund të aplikojnë për një vizë për të ardhur në Shtetet e Bashkuara bazuar në arsye urgjente humanitare ose përfitime të rëndësishme publike.

Nuk ka ndonjë përcaktim ligjor ose rregullator të “arsyeve urgjente humanitare”. Oficerët e zyrës së imigracionit duhet t’i shikojnë të gjitha rrethanat e paraqitura në çdo rast. Një aplikant duhet të demonstrojë urgjencën duke shpjeguar një arsye për të qënë në Shtetet e Bashkuara si p.sh. një trajtim mjekësor kritik, ose nevojën për të vizituar, për të ndihmuar ose për të mbështetur një anëtar të familjes që ka një sëmundje të rëndë, ose është në fund të fazës së jetës.

Nuk ka ndonjë përcaktim ligjor ose rregullator të “përfitimit të rëndësishëm publik”. Zakonisht kjo i referohet arsyeve të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë kombëtare ose konsideratave të politikës së jashtme ose të brendshme.

Në firmën tonë, ne krenohemi për punën tonë me çështjet më të vështira si dhe që ne i ndihmojmë refugjatët, azilkerkuesit, aplikantët për VAWA, dhe për vizat T dhe U, si dhe anëtarët e familjeve të tyre, të marrin rezidencën e përhershme dhe në të ardhmen të bëhen nënshtetas amerikanë.